Donald Trump emëroi David Sacks-in në rolin e të ashtuquajturit “Car për Kriptomonedhat dhe Inteligjencën Artificiale”, vetëm pak orë pasi monedha më e madhe virtuale në botë Bitcoin theu rekordin e të gjitha kohërave të Enjten, duke arritur 103 mijë Dollarë.

Emërimin e David Sacks, ish-drejtues i lartë i PayPal-it, rrjetit online që thjeshton dërgimin e parave në gjithë botën, e njoftoi përmes rrjetit personal social Truth ku tha se ai do të merret me hartimin e bazës ligjore për industrinë e kriptomonedhave.

Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara, superfuqi edhe në botën e kriptomonedhave duke gjeneruar të ardhura kolosale.

Trump ka premtuar se do të krijojë të parën rezervë shtetërore në botë me kriptomonedha. Fitorja e tij nxiti besimin e investitorëve, të cilët u dyndën për të blerë Bitcoin, duke bërë që kjo monedhë të thyente rekorde.

Pas rekordit të së Entjes, Trump përgëzoi investitorët dhe nuk humbi kohë për të marrë meritat.