Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë, aktakuza u konfirmuar kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.

Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 6 dhjetor, tha gjykata.

Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.

Thaçi , i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, -thuhet në aktakuzë.

Aktakuza e re ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit të Kosovës Thaçi dhe arrestimit të Smakajt, Kilajt e Fayliut dhe fletëthirrjes për Kucin, vijnë një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.

“Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, – tha ZPS-ja të premten.

Ajo shtoi se Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara, pasi ato kanë ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani. Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. /REL