Bashkimi Evropian nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me vendin tonë më 15 Tetor duke hapur Grupkapitullin I, atë të parimeve themelore, i cili sipas metodologjisë së rishikuar është edhe i fundit që mbyllet. 

Ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni është shprehur se Shqipëria ka bërë një progres të kënaqshëm sa i përket integrimit.

Gjatë kësaj periudhe jo vetëm qeveria shqiptare, por të gjitha institucionet që mbartin detyrime në kuadër të negociatave kanë përformuar kënaqshëm për të hapur negociatat për grupkapitujt ku përfshihen themelet e shtetit të së drejtës, që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike, reformat e ato shtylla që janë thelbësore që vërtetojnë avancimin e një vendi.

Do të thotë që në këtë drejtim Shqipëria ka bërë progres të kënaqshëm për të hapur negociatat. Puna nuk mbaron këtu, përkundrazi do të intensifikohet edhe më tej për periudhën në vijim që do të thotë që gjithë ekipi që mbartin detyrime do të jenë më shumë të angazhuar për periudhën në vijim për t’i qëndruar besnik qëllimit tonë final.

Pirdeni ndër të tjera tha se viti 2030 si afat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk është as slogan politik e as deklaratë e pabazë, por një objektiv realist. Ministrja u shpreh se procesi nuk është i thjeshtë dhe se duhet angazhimi i të gjithë institucioneve për të avancuar.

Në fakt viti 2030 nuk është as slogan politik as deklaratë politike e pabazë. Ka marrë inspirimin fillestar në një rezolutë të Parlamentit Europian të Korrikut 2030 që nxit Komisionin Europian dhe qeverinë shqiptare e të gjitha institucionet që të përgatisin aderimin e Shqipërisë brenda BE brenda kësaj dekade.

Është vendosur një axhendë shumë ambicioze për të mundësuar jo vetëm që Shqipëria të hapë të gjithë grupkapitujt brenda 2025 dhe pastaj të mbyllë provizorisht kapitujt brenda 2027 që më pas të përgatitet procesi i aderimit përmes nënshkrimit të traktatit të aderimit. Kjo është një axhendë që kemi rënë dakord me partnerët tanë.

Procesi nuk është i thjeshtë dhe nënkupton përfshirjen e të gjithë aktorëve përgjegjës që bartin përgjegjësi në fushën e tregut në Shqipëri, por gjithashtu edhe shoqëria civile, por edhe media ka një rol shumë të rëndësishëm për të mbajtur gjallë këtë momentum shumë pozitiv që Shqipëria ka aktualisht për të avancuar me procesin e negociatave“, -tha ministrja Pirdeni.