Rebelët sirianë thanë se morën nën kontroll qytetit jugor Daraa, vendlindja e një kryengritjeje të vitit 2011 kundër presidentit Bashar al-Assad dhe qyteti i katërt që forcat e tij kanë humbur brenda një jave.

Ndër të tjera ata shprehen se ushtria ra dakord të bënte një tërheqje të rregullt nga Daraa sipas një marrëveshjeje që u jep zyrtarëve të ushtrisë kalim të sigurt në kryeqytetin Damask, rreth 100 km në veri.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria apo qeveria e Asadit duke bërë të vështirë verifikimin e pretendimeve të rebelëve. Ndërkohë me rënien e Daraas, forcat e Asadit kanë dorëzuar katër qendra të rëndësishme kryengritësve brenda një jave.

Daraa, e cila kishte një popullsi prej më shumë se 100,000 banorësh përpara fillimit të luftës civile 13 vjet më parë, ka një rëndësi simbolike si djepi i kryengritjes. Është kryeqyteti i një krahine me rreth 1 milion banorë, në kufi me Jordaninë.

Marrja e Daraas pasoi pretendimin e rebelëve se ata kishin avancuar në skajin e qytetit qendror të Homsit, një udhëkryq kyç midis kryeqytetit dhe bregdetit të Mesdheut.

Marrja e Homsit do ta shkëpuste Damaskun nga bastioni bregdetar i Asadit dhe nga një bazë detare dhe ajrore e aleatëve të tij rusë atje.