Pseudonimi i saj është “Kukulla” dhe është anëtarja kyçe e një organizate kriminale në Kolumbi dhe që dyshohet se është e lidhur me disa vrasje. Arrestimi i saj ka marrë vëmendje ndërkombëtare edhe për shkak të vështrimit që i ka hedhur fotografit në momentin që pozonte me pranga në duar.

Por kush është “Kukulla”?

23-vjeçarja Karen Julieth Ojeda Rodriguez, e njohur ndryshe si “La Muñeca”, e ka lidhur emrin e saj me kryerjen e disa vrasjeve. E reja, e cilësuar si një “ekzekutuese e rrezikshme” nga gazetari Jacobo Solano Cerchiaro. Ajo dyshohet se drejtonte një rrjet kriminal të specializuar në larjen e hesapeve.

Mes viktimave të saj thuhet se përfshihet edhe ish-partneri i saj, të cilin e takoi në një trotuar të izoluar për t’i vendosur një kurth. Deyvy Jesús García Palomino, i njohur gjithashtu si “Orejas”, u qëllua të dielën e 23 korrikut në një zonë rurale të Piedecuesta.

Nga hetimet e policisë rezultoi se viktima ishte takuar me “La Muñeca”, gjoja për të zgjidhur një mosmarrëveshje parash. Këtë e kanë dëshmuar edhe bisedat në celularin e tij.
Ishte një pritë. Kur mbërriti, Deyvy Jesús u kap nga dy burra të cilët iu afruan me një motoçikletë dhe e qëlluan pa paralajmërim në gjoks.

Viktima u dërgua me urgjencë në spitalin lokal Piedecuesta, ku u shtrua në gjendje kritike dhe vdiq pak kohë më vonë. Më 30 shtator, policia konfirmoi arrestimin e “La Muñeca”, së bashku me një grua tjetër, në lidhje me ngjarjen.

Sipas autoriteteve kolumbiane, gruaja punon për bandën kriminale të njohur si “Los de la M”, e cila aktualisht po lufton me organizata të tjera rivale në rajon për kontrollin e paligjshëm të gjobave dhe trafikun e drogës.

“La Muñeca” luajti një rol kyç në koordinimin e vrasjeve selektive për para, të urdhëruara nga rrjeti kriminal, i drejtuar nga John Jairo Fernández Portala Marihuano nga burgu. Së bashku me Karen Julieth, policia arrestoi edhe një burrë të quajtur Leopoldo, të cilit i sekuestruan një pistoletë 9 milimetra dhe një motoçikletë.

Burri thuhet se është një nga njerëzit e besuar të La Muñeca-s. Me arrestimin e të dy personave, autoritetet kolumbiane shpresojnë se do të ketë më shumë “qetësi” në rajon.