Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve, andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok, e cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve.

“Super heronjtë nuk janë të vërtetë kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën”, porosit Policia e Kosovës, duke shtuar se kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme.

Policia kërkon mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që sjell angazhimi i pjesëmarrjes në këto sfida.

Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme.

Policia e Kosovës thotë se është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative.