16-vjeçari nga Korça, Anxhelo Abidini, pesë ditë me parë është larguar nga banesa pa njoftuar familjarët.

Ka qenë nëna e të miturit ajo që ka denoncuar rastin në polici, por kjo e fundit nuk ka rënë ende në gjurmë të 16-vjeçarit. Nëna e të miturit Ermelina Mustafa thotë se shkak i largimit të djalit nga shtëpia ka qenë njoftimi i prokurorisë së Korçës për përfundimin e hetimeve, për procedim penal të nisur ndaj tij, për vjedhjen e një celulari. I mituri sipas pohimit të nënës është trembur dhe larguar nga shtëpia.

“Të hënën është larguar, nuk e di arsyen, por i erdhi fleta e gjyqit dhe ai u tremb. Ne e kemi kërkuar. Ditën e mërkurë kam bërë denoncimin. E kemi kërkuar tek të gjithë njerëzit, por ende asgjë. Nuk e di ku mund të jetë, mund të ndodhet edhe jashtë Korçës. Njoftimi i gjykatës lidhet me një çështje për një telefon të vjedhur tetë muaj më parë. Kush e gjen të më telefonojë. Djali është në klasën e pestë”, shprehet ajo për Top Channel.