Ikball Huduti (Berisha) është shpallur person i padëshiruar në Shqipëri.

Urdhri për ta shpallur person të padëshiruar për 15 vite është nxjerrë nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Motivi i vendimit bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetase vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Urdhri i ministrit Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Ikball Huduti (Berisha) njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagim ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës“, shkruante kryeministri.