Kisha e Suedisë në Goteborg është ngarkuar nga Agjencia Kombëtare për Emergjencat Civile (MSB) të përgatitet për mundësinë e varrosjes së 30,000 ushtarëve në rast lufte ose një “katastrofe të madhe”.
Kjo raportohet nga “Nordic Times”, gazetë ndërkombëtare e pavarur që mbulon kryesisht problematika nga vendet nordike. Liderët suedezë, shkruan gazeta, së fundmi janë përpjekur të përcjellin mesazhin se Suedia tashmë është në luftë me Rusinë, ose të paktën se lufta së shpejti mund të bëhet realitet.
MSB u kërkoi gjithashtu kishave suedeze dhe drejtorëve të funeraleve që të përgatisin dhe sigurojnë terrenin për të varrosur një numër shumë të madh të të vdekurve në një kohë të shkurtër.
“Duhet të jemi gati për të varrosur ushtarët e rënë. Ne duhet të fillojmë përgatitjen tani,” – tha Katarina Evenseth, drejtuese e varrezave në Kishën Luterane të Suedisë.
MSB i kërkoi qytetit të përgatiste dhjetë hektarë tokë në mënyrë që ekuivalenti i 5% të popullsisë të mund të varrosej brenda një kohe të shkurtër.
“E veçanta e varreve të luftës është se trupat e ushtarëve të rënë mund të transferohen në vendet e tyre të origjinës ose qytetet e origjinës kur situata të jetë përsëri e qetë”, – përfundoi Evenseth, e intervistuar nga radioja publike suedeze Sveriges Radio.