Besëlidhja ka demonstruar një tjetër provë force në Superligën e basketbollit të meshkujve, teksa të shtunën shënoi fitoren e nëntë. Lezhjanët thyen Teutën, rivalin më të afërt në renditje, duke i konsoliduar edhe më shumë pozitat në vendin e parë, me pikë të plota. Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali triumfoi 76-89 në sfidën e zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njaja”. Një ndeshje e komanduar përgjithësisht nga ekipi verior, ndërsa durrsakët provuan të rivalizon me momente. Kështu miqtë e nisin mirë, duke marrë periodën e parë 16-24, ndërsa e dyta ishte më e ekuilibruar, e mbyllur 26-27 për Besëlidhjen, me ekipet që shkuan në pushimin e madh në shifrat e përgjithshme 42-51.
Teuta provon të afrohet në çerekun e tretë, teksa e merr periodën 20-17, duke ngushtuar në 62- 68 pas 30 minutash lojë. Por lezhjanët e rivendosin distancat në çerekun e fundit, ku fitojnë 14-21, për të vulosur fitoren finale me +13 pikë. Eldi Hysa me 17 pikë e 7 kërcime, Julian Hamati me 17 pikë e 8 kërcime si dhe Joshua Angle me 18 pikë, spikatën në suksesin e ekipit verior. Për Teutën nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer e Morgan Taylor, autor i 25 pikëve, 8 kërcimeve dhe 7 asistimeve, mbështetur nga Jalon Andrews me 23 pikë e 7 kërcime si dhe Bryen Powell me 18 pikë e 9 kërcime.
Edhe një herë tjetër për Besëlidhjen pankina ishte arma plus, me 36 pikë të ardhura nga stoli, ndërsa durrsakët vuajnë shumë në këtë drejtim, pasi nuk u regjistrua asnjë pikë nga stoli. Ky ishte suksesi i 36- të radhazi në kampionat për Besëlidhjen që prej sezonit të kaluar, ku u shpall kampione pa asnjë humbje. Në takimin hapës të javës së nëntë, Apolonia mundi Tiranën me rezultatin 90-75 (23-17, 11-22, 31-19, 25-17), sfidë e zhvilluar të premten në Fier. Një ndeshje me dy tablo, me një pjesë të parë të luftuar, ku kryeqytetasit bënë disi më mirë, ndërsa në gjysmën e dytë kishim dominimin e vendësve.