Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka lënë nën sekuestro vilën e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi dhe i ka kthyer atë që është në pronësi të nënës së saj, Fatime Kryemadhit.
Ajo sqaroi për mediat se të dyja banesat, e saj dhe e nënës, janë të ligjshme dhe janë blerë me kredi.
“Prokurori e pranoi që banesat ku unë banoj janë përfituar në mënyrë të ligjshme, gjyqtarja për mamanë time e cila akuzohej se kishte marrë një kredi në 2010-n ia liroi banesën e saj, ndërsa për mua vazhdon të jetë nën sekuestro. Do e apeloj, unë jam bashkëpunëtore në inceneratorin e Tiranës, është hakmarrje, unë dhe mamaja, unë e kam marrë me shkëmbim apartamentin tim, një shtëpi në Bllok është marrë me kredi”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se prokurorët ngritën si arsye bashkëpunimin e Fatime Kryemadhit me Ilir Metën, për çështjen e Dritan Priftit. Ndërkohë, për çështjen që lidhet me “Cez Dia”, Kryemadhi argumentoi se nuk ka koherencë në akuzat e ngritura, duke theksuar se për këtë çështje është bërë sekuestro për një grua me ekspertizë financiare, një veprim që e cilësoi “absurd”.
“Automatikisht nuk ka koherencë, prova dhe fakte. Bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare. Është absurde”, tha ajo.