Myrto Uzuni ka shënuar tre gola sot në Spanjë. Sulmuesi i Kombëtares tundi rrjetën tre herë në suksesin 4-1 të Granadës ndaj Kartagjenës.
Ishte Uzuni që përmbysi rezultatin, i cili shkoi 0 me 1 fillimisht për miqtë.
Sulmuesi i Kombëtares shfrytëzoi fillimisht si duhet krosimin e Ruiz për të dërguar topin në rrjetë. Goditja e tij me kokë nuk mund të pritej nga portieri kundërshtar.
Kështu Kartagjena nuk pati kohë të shijonte avantazhin e fituar në minutën e 12-të. Më pas shfrytëzoi si duhet një moment që nuk dukej premtues duke vendosur skuadrën e tij në avantazh. Në minutën e 73-të, erdhi edhe goli i tretë personal i sulmuesit shqiptar, që çoi shifrat në 4-1.
Kujtojmë se Uzuni është sulmuesi i huaj me më shumë gola në historinë e Granadës. Tashmë është dhe në kuotën e 14 golave për kampionatin e La Liga 2 duke u vendosur në krye të listës së golashënuesve.