27 milionë euro në kriptomonedha u sekuestruan nga një megaoperacion i EUROPOL, SPAK e autoritetet e pesë shteteve të tjera. Në pranga ranë nëntë persona, ndërsa EUROPOL zyrtarisht thotë se asetet dhe paratë e ngrira ishin gati për t’u pastruar.
EUROPOL: Ky operacion pasues përfshinte bashkëpunim të ngushtë midis ekspertëve të Europolit në krimin e rëndë dhe të organizuar dhe në hetimet financiare. Ai çoi në arrestimin e 9 të dyshuarve dhe sekuestrimin e provave (dokumente, telefona celularë), sende me vlerë (ari, mallra luksi), 35 000 euro cash dhe 27 milionë euro kriptovaluta.
Agjencia ligjzbatuese, Europol njoftoi se veprimet hetimore ishin në vazhdën e dy operacioneve të mëdha, “Gorgon” dhe “Whitewall”.
Nga i pari u godit grupi kriminal i dy shqiptarëve nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja, që dyshohet se janë krerët e organizatës kriminale, me bazë në Europë. Asokohe u lëshuan 33 urdhërarreste, ku 13 prej tyre u arrestuan në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë jashtë shtetit.
Njëri prej krerëve të grupit, Franc Çopja, ishte arrestuar më parë në Dubai, prej nga ishte ekstraduar në Belgjikë.
Ndërkaq në hetimet e sotme u përfshinë DEA-s Amerikane, Garda Civile Spanjolle dhe Policitë e Belgjikës, Holandës e Bullgarisë.