Këshilli Bashkiak Shkodër miratoi buxhetin e 2025 vetëm me votat e mazhorancës në një situatë të pazakontë. Buxheti u miratua mes kundërshtive të anëtarëve opozitarë në këtë këshill, të cilët shkuan në foltoren e këshillit duke kundërshtuar dhe replikuar.
Mbledhja nisi normalisht, ndërkohë që Kryetari i Bashkisë Benet Beci prezantoi 3 pika kryesore, projektet e investimeve strategjike për një Shkodër kryeqendër e rajonit, transformimin e Shkodrës me projektet aktuale të realizuara dhe të ardhmes si dhe pika e tretë e quajtur bashkia në punë.
Pas fjalës së kryebashkiakut opozita kërkoi fjalën, por kryetari i këshillit bashkiak Oltion Luli i dha fjalën drejtores së financave Teuta Haxhi për detajet teknike të buxhetit. Opozita nuk e lejoi një gjë të tillë duke kërkuar fjalën pas kryebashkiakut.
Pas një pushimi disa minutësh mbledhja rinisi por sërish gjatë pushimit nuk u gjet një dakordësi. Anëtarët e opozitës u ngritën pranë foltores duke replikuar me kryetarin e këshillit. Në këto kushte kreu i këshillit ftoi mazhorancën duke votuar buxhetin e 2025 të bashkisë Shkodër pa asnjë diskutim.
Në fund opozita thirri me ironi “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”, duke ju referuar sistemit komunist. Buxheti i 2025 ka vlerën e 29 milionë eurove.