Raketat ruse që u lëshuan mëngjesin e sotëm mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, kanë goditur edhe ambasadën shqiptare atje. Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit tonë thuhet se nga sulmi është dëmtuar pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.