Atmosfera e festave të fundvitit po ndihet edhe në Siri. Disa ditë pas rënies së regjimit të ish-presidentit Bashar Al Assad në Damask është hapur një treg Krishtlindjesh.
Vizitorët u dyndën drejt tregut, ku shëtisnin dhe bënin foto pranë dekorimeve të Krishtlindjeve. Yaza al-Sahour, një burrë sirian së bashku me partneren e tij thanë për Reuters se shpresojnë që Siria të rindërtohet shumë shpejt.
“Jeta nuk ndalet për askënd. Siria është një vend për të gjitha fetë. Pasi Bashar al-Assad u rrëzua dhe ne shpëtuam nga një tiran, tani ne do të fillojmë të rindërtojmë Sirinë së bashku.”
Shumë vizitorë u shprehën optimistë për të ardhmen.
“Nuk kam frikë nga ndonjë gjë e re, sepse ishim në situatën më të keqe, kështu që çdo gjë tjetër do të jetë më mirë. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë.”
Më 8 dhjetor, luftëtarët nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), morën kontrollin e vendit pasi përparuan në Damask. Që prej atëherë, shumë sirianë janë larguar nga vendi për shkak se ishin të frikësuar, pavarësisht garancive të sigurisë nga sundimtarët e rinj.