Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, në Gjermani, ku 2 persona humbën jetën dhe 68 të tjerë u plagosën, pasi një mjek saudit përplasi me makinë turmën e njerëzve.

Kreu i Shtetit u shpreh se ky është një sulm i tmerrshëm dhe duhet të dënohet në termat më të ashpër si një akt frikacak, i padenjshëm dhe i pajustifikueshëm.

Presidenti Begaj shkruan se qëndron me vendosmëri me popullin e Magdeburgut dhe të gjithë Gjermanisë, duke u shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.

“Sulmi i tmerrshëm ndaj qindra njerëzve paqësorë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë duhet të dënohet në termat më të ashpër si një akt frikacak, i padenjshëm dhe i pajustifikueshëm.

Shqipëria qëndron me vendosmëri me popullin e Magdeburgut dhe të gjithë Gjermanisë me këtë rast dhe shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave”, shkruan Begaj.