Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen ndaj ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, pas kërkesave të shumta që të jepte dorëheqjen pas tragjedisë së vrasjes së Martin Canit.

Nga takimi me prindër e mësues ku prezantoi planin e masave për sigurinë në shkolla, Rama tha se Manastirliu ka mbështetjen e tij, pasi ka luajtur një rol të rëndësishëm në transferimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor.

“Duke thënë të gjitha këto dua të shpreh publikisht këto si përgjigje për ata që donin të nxirrnin përfitime absurde nga tragjedia e një familje dhe nga humbja e një jete, duke drejtuar gishtin për gjithfarë akuzash dhe duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e arsimit, e cila ka jo vetëm të gjithë mbështetjen time, por kam bindjen se ashtu si kundër që ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe pamohueshëm në transferimin e sistemit tonë shëndetësorë, por dhe një rol të pamohueshëm për transformimin e arsimit tonë, për ta bërë më të mirë”, u shpreh Rama.