Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi hetim dhe ndëshkim të plotë për përgjegjësit lidhur me sulmin e një dite më parë në qytetin gjerman Magdeburg, i cili shkaktoi të paktën pesë të vdekur mes tyre edhe një fëmijë.
Më shumë se 200 persona mbetën të plagosur, disa prej të cilëve janë në spital në gjendje kritike për jetën.
“Çfarë akti i tmerrshëm të vrasësh e të plagosësh kaq shumë njerëz atje me një brutalitet të tillë. Kemi mbi 200 të lënduar e pesë të vdekur deri më tani. Gati 40 persona kanë marrë lëndime të tilla sa duhet të jemi shumë të shqetësuar për ta. Dhe kjo është arsyeja pse kjo është një ngjarje tragjike në të cilën të gjithë duhet të shprehim simpatinë tonë për të afërmit e për të plagosurit dhe për qytetin e Magdeburgut“-u shpreh Scholz.
Sipas informacioneve të para, autori i dyshuar i ngjarjes është Taleb al-Abdulmohsen, është një mjek psikiatër në Bernburg. I lindur në Arabinë Saudite, qytetin Hufuf, ai shkoi në Gjermani për shkollim në vitin 2006 dhe në vitin 2016, iu njoh azili politik.
50 vjecari kishte qenë prej vitesh aktivist në faqen e internetit wearesaudis.net, ku ofronte informacione për azilin në Gjermani dhe këshillonte gratë nga Arabia Saudite, si të largoheshin nga vendi. Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e përshkruante veten si “kritikun më agresiv të islamit në histori”. Autoritetet besojnë se mjeku ka vepruar i vetëm.
Shumë liderë botërore reaguan ndaj sulmit, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se i ka tmerruar, ndërsa presidenti Francen u shpreh thellësisht i shokuar. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e quajti ngjarjen e Magdeburgut një sulm brutal dhe burracak, e tha se ai duhet hetuar e ndëshkuar me rreptësinë më të madhe.
Ngjarja erdhi një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.