Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikat kufitare që lidhin vendin tonë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Radhët janë krijuar për shkak të shtimit të fluksit të emigrantëve, të cilët kthehen për të kaluar festat e fundvitit.
Në Kakavijë radha e mjeteve në hyrje për në Shqipëri është rreth 1 km. Të paktën 8000 qytetarë shqiptarë kanë hyrë vetëm sot prej Kakavijës dhe sipas autoriteteve dyndja e njëkohshme e ka shkaktuar radhën.
Koha e pritjes në radhë aktualisht është rreth 2 orë ndërsa pala greke po punon me 2 sportele në hyrje në Greqi dhe 3 në dalje. Situata të ngjashme krijohen në mënyrë periodike në vigjilje të festave të fundvitit dhe pashkëve ndërsa fluksi pritet të vijojë me ritme të larta në hyrje për në Shqipëri deri në fund të dhjetorit.
Gjatë javës së fundit numri i qytetarëve që kanë hyrë në Shqipëri është rreth 18 mijë vetë ndërsa përgjatë festave priten edhe rreth 30 mijë të tjerë. Fluksi në dalje është gjithashtu i rëndësishëm me rreth 10 mijë persona të larguar përgjatë javës së fundit drejt Greqisë.
Radhë të gjata janë krijuar edhe në hyrje nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të fluksit të madh të lëvizjeve të shqiptarëve të zonës së Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit të cilët në fundjavë shkojnë për të bërë blerje në Strugë e Ohër.
Nga ana e autoriteteve doganore shqiptare po punohet me kapacitet të plotë për normalizimin e situatës.