Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish sot ndaj vendimit për të mbyllur për një vit Tik Tok-un në Shqipëri.

Sipas tij, kryeministri Rama e ka ndërmarrë këtë akt pasi ka parë sondazhet që PD ka një audiencë të madhe në këtë rrjet social.

“Kërkon pra me çdo kusht të gjejë argumente për të mbyllur këtë rrjet, këtë platformë, e cila ka meritën e veçantë, njëlloj si Twitter, pasi u ble nga Elon Musk, të mos aplikojë censurën. TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama. Rrugaçëria në TikTok penetrohet nga të tjerë që i indukton Edi Rama me sjelljet e tij të kryebullistit të vendit. Në qoftë se bullizmi është një fenomen problematik dhe i dënueshëm, kryebullisti dhe kryemizogeni i vendit është Edi Rama”, tha Berisha.

Sipas tij “Tani unë u sjell ju këtu të dhënat e fundit mbi raportet e PD dhe partisë së krimit me TikTokun. Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet. Është pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën”.