Kryeministri Edi Rama, Paolo Bellino, RCS Sport CEO dhe Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit, ishin të pranishëm në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza” që do të mbahet majin e ardhshëm në Shqipëri.
Teksa prezantoi ngjarjen sportive me biçikleta që do të mbahet tre ditë ne vendin tonë vitin që vjen, Rama zbuloi sekretin tij. Ai tha se nuk di t’i japë makinës dhe se i vetmi mjet që ti të ngasë është biçikleta.
Rama: “Jam i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj e sigurisht më të pasur. Jam shqiptari më i përshtatshëm për të prezantuar këtë ngjarje sepse i vetmi mjet që di ti jap është biçikleta dhe nuk është shaka. Nuk di ti jap makinës, helikopterit, të pilotoj avioni. Di vetëm ti jap biçikletës.
Jam vërtet i lumtur se për 3 ditë do kemi kaq shumë kampionë që do jenë miq në vendin tonë e për të cilët do flitet nga bota por edhe për Shqipërinë. Në këtë Ligë ka konkurrencë të pabesueshme sepse konkurrojmë me vende që janë të hapura prej shekujsh kurse ne kemi vetëm 30 vjet e pak me tepër që jemi hapur. Gjithmonë thoja se Shqipëria është një Itali e vogël, tani vërtet jemi një Itali në anën tjetër të vendit që mirëpret një ngjarje jo vetëm sportive”.