Moti i keq ka përfshirë vendin ndërsa në disa qytete ka patur edhe reshje dëbore. Nga reshjet e dëborës janë bllokuar makinat në Rrugën e Arbrit. Shoferët, që janë bllokuar në Qafë Murriz shprehen se kanë tre orë, që qëndrojnë në një vend.

Një nga shoferët tha se rruga nuk ka as kripë. Ai shtoi se nuk ka ku të shkojë me këtë situatë dhe se makinën e mban ndezur që të rrijë ngrohtë. Një tjetër shofer deklaroi se në makinë ka pasagjerë dhe se kanë mbetur në mes të rrugës, duke pasur me vete pasagjerë burra, gra e fëmijë.

“Ka 3 orë që rrimë këtu. Jam nisur për në Bulqizë. Ka 3 orë që rri në këtë vend në Qafë Murriz. Rruga ndodhet me borë, as borëpastruese, asgjë. Borëpastruesja ka ngelur vetë në mes të rrugës. Nuk di sa do rrimë, jam me burra, gra e fëmijë në makinë. Çfarë të bëjmë,” tha shoferi.

Një drejtues tjetër shprehet se ndodhen të bllokuar që nga ora 13:00. Ai shtoi se fadroma ka ngecur për vete në rrugë.

“Jam nisur për në Peshkopi. Unë jam me familje, nuk kam ku të shkoj. Asgjë, rrimë në makinë,” tha ai.