Në 24 orët e fundit qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore. Në orët e para të mëngjesit reshjet e borës kanë zbritur deri në lartësinë 400 m mbi nivelin e detit. Trashësia në qytetin e Peshkopisë shkon në 5 cm ndërsa në ekstremet më të larta të Qafë Murrizës dhe të Kalasë së Dodës kalon mbi 20 cm.

Rruga e Arbrit në segmentin nga tuneli i Murrizit deri në fshatin Bastar Murrizë ka qenë i bllokuar që nga mesdita e djeshme, por ditën e sotme është bërë i mundur kalimi.

Aksi Peshkopi-Kukës është i kalueshëm, në të gjithë segmentin ka prezencë të dëborës, ndërsa në Kalanë e Dodës ka mbi 25 cm.

Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd është i kalueshëm trashësia e borës nga Ostreni drejt Fushë-Studës varion deri në 25 cm.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, për të evituar bllokimet dhe për të parandaluar aksidentet.

Në zonat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Ostrenit, Tërnovës, Martaneshit dhe Xibrit trashësia e borës kalon mbi 25 cm, dhe shkohet vetëm me mjete të kalueshmërisë së lartë.