Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK ministrin e brendshëm dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, pas protestës së djeshme, ku ata pretendojnë se janë dhunuar.
Njoftimi:
Referim/Informacion mbi kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Drejtuar: Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Kundër: Ervin Hoxha – Ministër i Brendshëm;
Ilir Proda – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
Elton Alushi – Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë;
Fatmir Çelaj – punonjës i Policisë së Shtetit;
Farush Likaj – punonjës i Policisë së Shtetit;
Robert Losha – Shefi i Komisariatit nr. 1, Tiranë;
Çdo punonjës tjetër i Policisë së Shtetit i përfshirë, por i paidentifikuar nga ana jonë
Partia Demokratike e Shqipërisë, në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku specifikohet se “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar. Tubimet paqësore në sheshe dhe vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara nga ligji”, më datë 23 Dhejtor 2024, ora 17.00, kishte thirrur një protestë paqësore në Tiranë.
Neni 1 i ligjit nr. 8773/2001, parashikon se: “1. Në Republikën e Shqipërisë çdo person ka të drejtë të organizojë dhe të marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. 2. Kjo e drejtë kufizohet vetëm në rast se rrezikohet sigurimi kombëtar, sigurimi publik, mbrojtja e rendit dhe parandalimi i krimit, ruajtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve.”.
Më tej, ligji në nenin 5 të tij rregullon edhe procedurën që duhet të ndjekin organizatorët, duke theksuar se “Në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatori dhe drejtuesi janë të detyruar të njoftojnë me shkrim shefin e komisariatit të policisë jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit.”. Sipas ligjit, me “Sheshe dhe vendkalime publike” kuptohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjen dhe qëndrimin e çdo individi.
Në përputhje me ligjin e sipërcituar, Partia Demokratike e Shqipërisë, përmes shkresës 299 Prot., datë 20.12.2024, ka njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për zhvillimin e tubimit, duke përcaktuar edhe vendkalimet publike ku ato do të zhvillohen.
Në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit për tubimet, Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, ka njoftuar përmes shkresës nr. 13771/7 Prot., datë 20.12.2024, se ka vendosur të ndalojë plotësisht zhvillimin e tubimit, me “argumentin” se: “krijon probleme dhe premisa për cënime të rendit publik dhe sigurinë e shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cënon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon qarkullimin normal të automjeteve të transportit publik dhe privat”.
Edhe pse në këtë reagim, Drejtuesi i Policisë së Tiranës referon shkronjën “a” të nenit 6 të ligjit nr. 8773/2001, ku rregullohen ndalime apo kufizime specifike, të cilat duhet të bëhen të ditura paraprakisht, por pa cënuar apo mohuar plotësisht të drejtën e tubimit paqësore, ai urdhëron në mënyrë të paligjshme ndalimin plotësisht të tubimit, për shkaqe të papërligjura dhe të pa bazuar në ligj apo rrethana specifike, duke cënuar thelbim e lirisë së tubimit, si një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari shqiptar.