37 pasagjerë mbetën të vdekur nga aksidenti i avionit të “Azerbaijan Airlines” teksa ai ishte në zbritje. 30 persona, sipas mediave vendase i mbijetuan përplasjes që ndodhi në kohën kur avioni ishte në fazë zbritjeje. Mes të mbijetuarve janë edhe dy fëmijë.

Një video e bërë publike tregon momentin kur një prej pasagjerëve filmon situatën brenda avionit pak para se të rrëzohet, teksa ndodhen në panik dhe i luten Zotit.

Azerbaijan Airlines, kompania kryesore ajrore e vendit, njoftoi se avioni i llojit Embraer 190, ka bërë “një ulje emergjence” rreth 3 kilometra larg nga Aktau, që është një qendër e gazit dhe naftës në Detin Kaspik. Disa raporte në shtypin vendas pretendojnë se avioni ndryshoi kursin për shkak të mjegullës në Grozni.

Ndërsa sipas Sputnik Azerbajxhan, avioni mund të jetë rrëzuar për shkak të përplasjes me një tufë zogjsh. Në bordin e tij ndodheshin 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet njoftuan se ekipet e shpëtimit dolën me urgjencë në vendngjarje dhe nisën menjëherë punën për të shuar flakët që pushtuan avionin.