Ekonomia në Shqipëri u rrit me 4.09 % përgjatë tremujorit të tretë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas vlerësimit më të fundit të INSTAT. Në raportin më të fundit, theksohet se kjo periudhë përkon me atë të turizmit, duke ndikuar në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një ndikim ka pasur edhe rritja e pagave në sektorin publik.

Konkretisht, kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, aktivitete profesionale dhe shërbime administrative, ndërtimi, aktivitete të pasurive të paluajtshme, aktivitete financiare dhe të sigurimit, si dhe arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi. 

Negativisht kontribuuan grupet industri, energji dhe uji, bujqësi, pyje dhe peshkim, si dhe informacioni dhe komunikacioni. Treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht në tremujorin e tretë 2024, krahasuar me tremujorin paraardhës, vlerësohet me rritje prej 2,76%.

Ndërsa me rënie u shfaqën sektori i bujqësisë dhe aktiviteti i ndërtimit me 8,27 % . Taksat neto mbi produktet patën një rritje me 2,02 %. Sa i përket shpenzimeve për këtë tremujor, konsumi final për popullatën u rrit në terma reale me 0.83%, ndërsa i qeverisë me 6.8%.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,32 %  dhe importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 6,82 %. Krahasuar me këtë 9-mujor, rritja e ekonomike në Shqipëri llogaritet me mbi 4%. Ky pritet të jetë edhe parashikimi i institucioneve të huaja ndaj vendit tonë.