Shqiponja tullace është tashmë zyrtarisht “zogu kombëtar” i SHBA-së, pasi presidenti, Joe Biden, nënshkroi një ligj në prag të Krishtlindjeve që i jep nder zogut grabitqar kokëbardhë dhe me sqep të verdhë.

Zogu ka qenë një emblemë kombëtare në SHBA për vite me radhë, duke u shfaqur në Vulën e Madhe të SHBA-së, e përdorur në dokumentet amerikane, që nga viti 1782, raporton BBC.

Por nuk ishte caktuar zyrtarisht si “zogu kombëtar” derisa Kongresi miratoi projektligjin javën e kaluar, duke e dërguar atë në tryezën e Bidenit për t’u nënshkruar.

“Për gati 250 vjet, ne e quajtëm shqiponjën tullace ‘zogu kombëtar’, ndërsa nuk ishte, por sot është zyrtare”, – ka thënë në një deklaratë Jack Davis, bashkëkryetar i Iniciativës Kombëtare të Zogjve për Qendrën Kombëtare të Shqiponjave.

Jo të gjithë në Amerikë kanë qenë gjithmonë dakord për statusin kombëtar të shqiponjës tullace.