Flakët që përfshinë zonën e Krujës janë vënë nën kontroll pas disa orësh ndërhyrje, ndërsa aktualisht nuk raportohet më rrezik për banesat.

Në terren vijon puna për shuarjen e dy vatrave që mbeten aktive në Barabit dhe Abazë.

Forcat e angazhuara po punojnë për izolimin e tyre dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve në zona të tjera.

Situata po monitorohet në vijimësi, ndërsa ndërhyrja do të vazhdojë deri në shuarjen e plotë të vatrave aktive.

Për momentin, banesat nuk paraqiten më në rrezik, ndërsa fokusi i ekipeve në terren është përqendruar te dy vatrat e mbetura në Barabit dhe Abazë.

Pjesa e mbetur e zjarrit në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me ndihmën e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.