Instituti i Gjeoshkencave, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se të mërkurën pasdite dhe nesër, reshjet e dëborës do të përfshijnë zonat në Veri, në Lindje dhe në Juglindje.
Reshjet e dëborës do të pasohen edhe me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe se ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vështirësi në transportin rrugor.
“Sot pasdite dhe nesër priten reshje të dobëta ose lokalisht të dobëta në disa qarqe. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore. Nesër, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: Në bregdet: 9/13 °C; në vendet e ulëta: 6/11 °C dhe në vendet malore: 0/3 °C”, – thuhet në njoftim.
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në veri të vendit, ndërsa në pjesën tjetër të territorit pritet të jetë e lehtë, deri mesatare.