Policia e Tropojës dhe disa alpinistë nga Kosova i kanë ardhur në ndihmë turistit 46-vjeçar nga Bullgaria, i cili duke eksploruar zonën e Lekbibaj, është dëmtuar duke ecur mbi disa shkëmbinj në bjeshkët e Vranit.

46-vjeçari ka njoftuar në ambasadë dhe ka kërkuar ndihmë, pasi nuk ecte dot për shkak të dëmtimeve të marra. Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë, të cilët janë ndihmuar edhe nga disa aplinistë nga Kosova.

Pas disa orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e turistit bullgar, i cili është trasportuar rreth 10 kilometër në krahë, nga shërbimet e Policisë, së bashku me aplinistët, deri në vendin ku është bërë e mundur ulja e helikopterit në Lekbibaj.

Më pas turisti është transportuar me helikopter në spitalin e Tropojë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.