Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Ukraina duhej të ishte “realiste” për shqetësimet territoriale në çdo negociatë të ardhshme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Ukrainasit duhet të kenë bisedime realiste për çështjet territoriale”, – tha sot Macron në një fjalim gjatë një takimi të ambasadorëve francezë.
Kievi ka mbajtur prej kohësh qëndrimin publik se synon të rimarrë të gjithë territorin e kapur nga Rusia ndër vite. “Nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë në Ukrainë”, – tha Macron.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ana e tyre, duhet të ndihmojnë evropianët të bindin Rusinë të vijë në tryezën e bisedimeve”, – shtoi ai.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, tha më herët se dëshiron t’i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur.