Zhdukja e kufirit ekonomik midis Bullgarisë, Rumanisë dhe Greqisë nga 1 janari 2025, ka ndryshuar shumë gjëra në marrëdheniet mes këtyre shteteve, të cilat janë tashmë pjesë e zonës Shengen.

Kalimi tashmë bëhet pa kontrolle apo vonesa, gjë që ka shkaktuar emocione sidomos te drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerëve, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me foto dhe komente për realitetin e ri.

Në stacionin më të madh kufitar të Promachonit, godinat e doganës kanë mbetur të shkreta, ndërsa hekurat në të dyja anët janë ngritur përgjithmonë.

Tashmë janë zhdukur radhët kilometrike të makinave dhe kamionëve, që deri para pak kohësh ishin dukuri e përditshme. Por ajo çka ka rrëmbyer vëmendjen pas “zhdukjes” së kufirit mes dy vendeve është fakti se shoferët grekë por nxitojnë të furnizojnë makinat me karburant në territorin bullgar, ku çmimet janë shumë më të ulëta.

Konkretisht, çmimi i benzinës në Bullgari është rreth 1.28 Euro për litër, ndërsa në Greqi rreth 1.80 Euro dhe po aq tërheqës është edhe çmimi i naftës. Çmimi mesatar i benzinës në Bullgari për periudhën nga janari 2015 deri në dhjetor 2024 ishte 1.14 euro për litër, me çmimin më të ulët të regjistruar në maj 2020 me 0.82 cent dhe më të lartin regjistruar në korrik të 2022 ku shkoi në 1.73 euro për litër.

Krahasuar me çmimin mesatar global për të njëjtën periudhë Bullgaria ende ofron karburant me çmime dukshëm më të ulëta. Në mënyrë të detajuar, për një automjet me rezervuar 50 litra, kostoja e një rezervuari të mbushur plot është 64 euro në Bullgari dhe 90 euro në Greqi, pra 26 euro më pak.