Arjon Hasaj, i cili akuzohet se ka ekzekutuar 33-vjeçarin Ramazan Mataj mbrëmjen e 4 janarit në fshatin Dragoç të Shkodrës, ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar edhe arsyet që e çuan drejt këtij akti.

Në dëshminë e dhënë, 29-vjeçari ka pranuar se është ai personi që ka vrarë me armë zjarri Ramazan Matajn duke marrë përsipër krimin e rëndë. Ndërsa i vëllai, Klisman Hasaj i cili dyshohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, nuk ka pranuar asnjë akuzë ndaj tij duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait dhe faktit që do kryente vrasje.

Arjon Hasaj ka treguar plotësisht vrasjen e kryer e cila sipas autorit ka ardhur si shkak i një lidhjeje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh.

Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Matajn. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj, raporton “Panorama”.

Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Klisman Hasaj, vëllai i autorit.

Pas ngjarjes së rëndë policia vendore e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj. Gjatë përgjimeve dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni si dhe në një moment del se autori kryesor Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për ta patur për siguri. Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autor të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të tjerë të viktimës dhe autorit të dyshuar ndërsa vijon punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.