Familjarët e 12-vjeçarit nga Maliqi humbi jetën në spitalin e Tiranës kanë shpjeguar për mediat, jashtë kamerave, se djali i tyre ka qenë i shëndetshëm dhe nuk kishte pasur asnjë problem shëndetësor më parë, duke u marrë edhe me aktivitet sportiv. Ata tregojnë se në fund të dhjetorit, djali kishte shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, ku ishte trajtuar në reanimacion.
Ditën e djeshme, ata e kishin çuar urgjent në Tiranë, ku ishte shtruar në pavionin e Covid-it, ndërkohë që ata kishin kërkuar që ai të ndiqej në reanimacion. Familjarët shpjegojnë se, pasi djali kishte filluar të kishte të vjella të pandërprera, ata e kishin komunikuar këtë me infermieren, por ajo u kishte thënë se “nuk ka mundësi”.
Ata theksojnë se djalin nuk e trajtuan siç duhej, dhe në një moment, ai kishte shtërnguar gjoksin fort. Ata e kishin marrë në krahë për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë, por gjatë rrugës djali ka humbur jetën në krahët e tyre. Familjarët thonë se mjekët u kishin komunikuar se djali kishte pësuar arrest kardiak.
Ata shprehen se janë të tronditur dhe pyesin nëse është e mundur që një virozë të ketë shkaktuar vdekjen e djalit, pasi ai nuk vuante nga diabeti apo probleme me zemrën. Ata gjithashtu thonë se gjatë ditëve të fundit, niveli i sheqerit në gjak të djalit kishte arritur deri në 200.
“Djali ka qenë i shëndetshëm, nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor më parë, merrej me aktivitet sportiv. Në fund të dhjetorit ka shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, është trajtuar në spitalin e Korçës në reanimacion. Ditën e djeshme e kemi çuar urgjent në Tiranë dhe na i shtruan në pavionin e Covid, djali tonë nuk ishte për aty ata duhet ta ndiqnin në reanimacion.
U shtrua aty dhe filloi të kishte të vjella të pandërprea, ja komunikoja këtë infermieres dhe më thoshte ‘nuk ka mundësi’. Djalin nuk e trajtuan siç duhej, në një moment ai shtrëngon gjoksin fort aty e marr në krah për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë dhe rrugës djali më mbaroi në krahë.
Ajo çfarë na thanë mjekët është se pësoi arrest kardiak, a mundet që nga një virozë djali të humbasë jetën?! Nuk vuante as nga diabeti as nga zemra por nga mjekimet e shumta diabeti ditën e fundit i shkoi 200. Jemi të tronditur dhe gjërat nuk duam t’i çojmë më tej, na respektoni në dhimbjen tonë”, kanë deklaruar familjarët.