Arjon dhe Klisman Hasaj, dy vëllezërit që dyshohet se planifikuan dhe vranë Ramazan Matajn në fshatin Dragoç të Postribës, kanë dalë sot para gjykatës së Shkodrës.
Dy vëllezërit pritet të njihen me masën e sigurisë pas ngjarjes që tronditi Shkodrën mëngjesin e 5 janarit.
Në orët e para të mëngjesit, pasi i kishin ngritur ‘kurth’ 33-vjeçarit duke krijuar profil të rremë në emër të një vajze, ata e nxorën në pritë viktimën ku qëlluan me 9 plumba në drejtim të tij.
Dyshohet se dy familjet që jetonin në të njëjtin fshat, kishin pasur konflikte prej vitesh, pasi e motra e autorëve kishte lidhje jashtëmartesore me viktimën.
Ky i fundit kishte ndikuar përmes publikimit të videove intime me të, për prishjen e dy martesave të motrës së autorëve.
Pas ngjarjes ata ishin kapur nga kamerat e sigurisë duke ikur nga vendi i ngjarjes me biçikletë, ndërsa armën e kishin groposur afër banesës së tyre.