Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për “dialog strategjik” mes vete.

Në një shkrim në Facebook pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, Osmani tha se zyrtari amerikan ia konfirmoi asaj se SHBA-ja e ka pranuar një kërkesë të saj nga viti 2021 për dialog strategjik mes dy vendeve.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ekipet e dy vendeve “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Osmani nuk dha më shumë hollësi.

Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ditë më parë, DASH-i tha në një njoftim se në Kosovë, Verma do të diskutonte për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Dialogu mbështetet edhe nga SHBA-ja.

Ato arritën Marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më u pajtuan për një aneks për zbatimin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut atë vit.

Megjithatë, asnjëra palë nuk ka bërë hapa për zbatimin e saj dhe SHBA-ja vazhdimisht u ka kërkuar si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, ta zbatojnë marrëveshjen.

Sipas njoftimit, Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme ndaj Ukrainës dhe ndihmën e dhënë afganëve në nevojë.

Kosova pranoi afro 2.000 afganë pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.

Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është larguar tashmë nga Kosova, Ministria e Brendshme e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë në tetor se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë, por nuk tregoi sa.

Po ashtu, Kosova strehoi edhe gazetarë ukrainas pasi Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022, si dhe e ka ndjekur politikën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Moskës.

Në këtë vizitë, Verma gjithashtu synon të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, thuhet në njoftim./REL