Policia e Shkodrës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të uniformave blu. Një person ishte konfliktuar me pronarin e lokalit, G. H., 36 vjeç dhe disa shtetas të tjerë, në lagjen “Manush Alimani” të kryeqendrës së veriut. Pasi ishte larguar, agresori mësohet se është rikthyer aty me një armë zjarri kallashnikov. Por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i 54-vjeçarit, V. H., banues në Shkodër duke shmangur kështu pasojat e një ngjarje e cila mund të rezultonte tragjike.

Procedohet në gjendje të lirë dhe pronari i lokalit ku nisi konflikti. Ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov dhe municioni luftarak që posedonte 54-vjeçari. Ky i fundit pasi ka konstatuar forcat e rendit ka hedhur armën e zjarrit në tokë.

Policia e Shkodrës jep detajet e ngjarjes: 

Pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative për një konflikt në lagjen “Manush Alimani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, organizuan punën dhe menjëherë kanë ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosje”, i shtetasit V. H., 54 vjeç, banues në Shkodër.

54-vjeçari, pas një konflikti me pronarin e lokalit shtetasin G. H., 36 vjeç, ishte larguar duke u rikthyer në lokal ku kishte me vete një armë zjarri kallashnikov. Në momentin që është rikthyer në lokal kanë mbërritur dhe shërbimet e Policisë të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar 54 vjeçarin që mbante armën e zjarrit në dorë.

54-vjeçari në pamundësi për tu larguar ka hedhur armën në tokë. Shërbimet e Policisë e kanë prangosur menjëherë dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit dhe municionin luftarak.

Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lire shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në Shkodër për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodër, për veprime të mëtejshme.