Pas përzgjedhjes me konkurs të drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike pranë bashkisë Durrës, Ardian Iljazaj, sot është shpallur edhe fituesja e vendit vakant të specialistit nëssektorin e Projektimit dhe Infrastrukturës pranë kësaj drejtorie.
Sipas njoftimit të bashkisë Durrës, pas konkursit të zhvilluar më datë 29 korrik në pozicionin e specialistes është përzgjedhur kandidatja Ilva Hasanaj (Çela).
“Bazuar në ligjin nr.152 /2013 “Për nëpunësin civil”, neni 20, 22, 25, VKM nr. 243, datë 18.03.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, në Urdhërin nr. 205 datë 29.06.2020 “Për shpalljen e pozicioneve të paplotësuara për konkurim” kërkojmë publikimin e fituesit të konkurimit të datës 29.07.2020 për pozicionin: Specialist në Sektorin e Projektimit dhe Infrastrukturës pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Kandidatja fituese për këtë pozicion është Zj.Ilva Hasanaj (Çela)”,- njofton bashkia.
Përzgjedhja me konkurs e drejtorit të Shërbimeve Publike në bashki Ardian Iljazaj, ku ai kandidoi pa konkurentë të tjerë u shoqërua me reagime nga PD Durrës.
Në një konferencë për shtyp të disa ditëve më parë, kreu i PD Durrës Ferdinand Xhaferaj deklaroi se “Personi që qartazi përcaktohet nga Kryeministri si halabak para disa ditësh është emëruar Drejtor i Shërbimeve në Bashki. Besoj se nuk ka nevojë për koment për papërgjegjshmërinë, arrogancën dhe nëpërkëmbjen që Edi Rama i bën qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.”





