Kilian Mbappé mund të kishte zgjedhur të nisë karrierën e tij te Real Madrid një vit më vonë. Kjo do t’i kishte mundësuar të mbyllte kontratën me PSG-në deri në fund dhe, për më tepër, do të kishte pasur 250 milionë euro më shumë në llogarinë e tij.

Sipas gazetës sportive franceze “L’Equipe”, sulmuesi francez humbi këtë shumë që në momentin kur firmosi për Real Madrid dhe aktivizoi klauzolën e largimit, duke mbyllur kontratën para kohe. Nëse Mbappé do të kishte qëndruar te PSG deri në fund të kontratës në vitin 2025, ai do të përfitonte një rrogë prej 70 milionë eurosh, me një rritje prej 20% krahasuar me sezonin e kaluar, si dhe bonuse prej 180 milionë eurosh. Këto shifra janë bruto, por gjithsesi shumë të mëdha, duke treguar sakrificën që bëri Mbappé kur vendosi t’i bashkohej Real Madridit.

Mbappé paguhet 32 milionë euro në sezon te Real Madrid, dhe përfitoi gjithashtu një bonus prej 100 milionë eurosh në momentin e firmosjes. Kjo bën që për pesë vitet te Reali, fitimet e tij të jenë të barabarta me ato që do të kishte marrë nga PSG nëse qëndronte edhe një vit tjetër.