Teuta mundi Tiranën me rezultatin 74-82 (20-18, 17-23, 27-26, 10-15), duke hipotekuar vendin e dytë. Ndeshja e zhvilluar në “Farie Hoti” ishte shumë e luftuar, ndërsa durrsakët e bënë diferencën në periodën e dytë dhe të katërt.

Për tu veçuar në këtë takim ishte edhe ndërprerja për disa minuta e lojës për tensionin e krijuar në sallë.

Tifozët bardheblu reaguan duke hedhur shishe plastike në parket, si reagim i një provokimi nga një prej lojtarëve amerikanë të Teutës. Gjithsesi, takimi rinisi dhe durrsakët u larguan me fitore nga kjo transfertë aspak e lehtë. Kapiteni Kristi Gorea udhëhoqi bregdetarët me 22 pikë, 5 kërcime dhe 2 asistime. Për Tiranën nuk mjaftuan Dante Moses me 23 pikë dhe Endrit Hysenagollin, me 18 pikë e 14 kërcime.