Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për dislokimin e trupave shqiptare, bullgare, greke dhe rumune nga Rezervat Operacionale, në mbështetje të misionit të tij.

Sipas njoftimit, këto përforcime rrisin aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e tij.

“Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe (ORF) ka marrë përsipër detyrën nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale Turke, sipas planit të rotacionit të forcave të mbikëqyrur nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli. Ky batalion përbëhet nga rreth 270 ushtarë dhe do të operojë përkohësisht, së bashku me 200 forcat rezervë tashmë të dislokuara nga brigada italiane ‘Sassari’”, thuhet në njoftim.

KFOR-i thekson se mbetet i përkushtuar për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.