Që prej 21 marsit, në Gjykatën e Tiranës është ngritur një komision i posaçëm që do të merret me mbarëvajtjen e procesit të ankesave dhe problemeve që mund të hasin votuesit e diasporës për zgjedhjet e 11 majit. Ky komision përbëhet nga Kancelari i Gjykatës, Donald Xhelili, dhe dy kryesekretaret.
Qytetarët që jetojnë jashtë vendit dhe kanë hasur probleme gjatë regjistrimit për të votuar, mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës përmes adresës së emailit diaspora@gjykata.gov.al. Kjo adresë ka filluar të funksionojë prej disa ditësh, dhe deri tani janë marrë disa emaile, ku vetëm njëri është regjistruar, ndërsa të tjerët janë thjesht pyetje.
Për të shmangur konfuzionin, grupi i punës pranë Gjykatës është duke përgatitur një formular tip për të orientuar qytetarët. Emailet administrohen nga kryesekretaria dhe regjistrohen në sistemin e administratës, ndërsa vendimi mbi ankesat merret brenda 48 orësh nga gjyqtarët e shortuar.
Për më tepër, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka lidhur kontratën me kompaninë postare që do të merret me shpërndarjen e zarfeve me votat e 245,975 shqiptarëve të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Çmimi mesatar për dërgimin dhe kthimin e zarfit është rreth 37 euro pa TVSH, ndërsa ky shërbim do të kushtojë buxhetit të KQZ-së rreth 9 milionë e 223 mijë euro.