Vijojnë që të jenë aktive vatrat e zjarrit edhe këtë të hënë të 10 gushtit në zonën e Mallakastrës dhe në Patos.
Në Mallakastër janë angazhuar në total 20 trupa të FA, 10 efektivë të MZSH, 20 forca bashkiake, 4 forca nga Shërbimi Pyjor dhe një mjet zjarrfikës.
Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm efektivësh janë në terren edhe në vatrën e Drenies në Patos.
Në Drenie janë në terren tre automjete zjarrfikëse, 12 efektivë të MZSH, 10 forca bashkiake, 20 trupa të FA.
Siç kishin paralajmëruar edhe autoritetet, muaji gusht pritet të mbajë i nxehtë dhe të mos jetë aspak i qetë në aspektin e zjarreve.
Vendi ynë, por edhe rajoni dhe Europa po përballen me zjarre në pyje. Vatra e fundit më problematike në Shqipëri ishte në Malin e Krujës, që detyroi autoritetet që të evakuojnë banorët. Pas një punë të palodhur gjatë një nate të tërë, më në fund zjarri u shua.
Për punën e bërë, kryeministri i vendit Edi Rama falënderoi efektivët e pranishëm në terren, për punën e bërë.





