Prokuroria e Posaçme ka publikuar sot raportin vjetor të punës së saj për vitin 2024. SPAK ka renditur si suksese në ushtrimin e funksioneve goditjet ndaj krimit të organizuar, arrestimi i zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra korruptive.
844 persona janë nën hetim nga kjo prokurori, 328 janë procedime të reja, 412 janë hetuar me masë sigurimi arrest me burg. SPAK thekson se në gjykatë janë dërguar rreth 34% e të hetuarve.
43 procedime për krime zgjedhore dhe 29 për vepra terroriste.
SPAK evidenton se ka përdorur përgjime për 163 procedime penale, ndërsa gjatë vitit 2024 janë përgjuar 3096 telefona. “Krahasuar me 2023, numri i përgjimeve më i ulët”, thuhet në raport.
Janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate.
Janë identifikuar 16 grupe kriminale të rrezikshme ndërsa Sky ECC mundësoi identifikimin e 9 grupeve
SPAK thekson gjithashtu se ka patur edhe presione të jashtme ndaj Prokurorisë së Posaçme nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatikë të cilët cenojnë pavarësinë e tij Kushtetuese dhe efektivitetin në hetime.
“Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Posaçme.
Grupet kriminale
Raporti i SPAK për vitin 2024 vëren se grupet kriminale shqiptare kanë rol të madh në tregjet ndërkombëtare, në trafikun e drogës dhe trafik të qenieve njerëzore.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme vëren se grupet kriminale kanë rol edhe në krimin kompjuterik.