Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) publikoi raportin vjetor për 2024, duke evidentuar progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas raportit të dorëzuar në Kuvend, 33 ish-zyrtarë të lartë u vunë nën hetim gjatë vitit të kaluar, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykatë.

16 grupe kriminale të identifikuara, 10 të shkatërruara

SPAK njofton se ka identifikuar 16 organizata kriminale me rrezikshmëri të lartë, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Nga këto, 10 grupe janë shkatërruar, me operacione në qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Lezha dhe Kukësi.

Sipas raportit, këto grupe kriminale operojnë me një strukturë të mirëorganizuar, përfshijnë anëtarë nga gjyqësori, policia, media dhe bota akademike, si dhe përdorin komunikime të koduara si SKY ECC dhe pastrimin e parave përmes kriptovalutave.

Konfiskimet dhe goditjet ndaj korrupsionit

Gjatë vitit 2024, SPAK konfiskoi një sasi të konsiderueshme pasurish, përfshirë:

• 17 pasuri të paluajtshme

• Vlera monetare të konfiskuara:

• 395,000 Lekë

• 38,000 Euro

• 2 pasuri të luajtshme

• 7 subjekte tregtare të konfiskuara, nga të cilat 6 janë sekuestruar plotësisht

Në total, vlera e pasurive të konfiskuara llogaritet rreth 27,202 Euro dhe 510.8 milionë Lekë.

Presioni mbi SPAK dhe sfidat për vitin 2025

Raporti vë në dukje presionin e jashtëm nga krimi i organizuar, politika dhe media, duke theksuar se këto ndërhyrje mund të cënojnë pavarësinë e hetimeve. Për të garantuar efektivitetin e SPAK, kërkohet një reagim më i koordinuar i institucioneve për mbështetjen e prokurorëve në çështje sensitive.

Si prioritete për 2025, SPAK synon përfundimin e Sistemit të Administrimit të Çështjeve (Case Management System) dhe ngritjen e një njësie analize për të mbështetur hetimet komplekse dhe raportimet ndërkombëtare.