Thomas Müller, një nga figurat më emblematike të Bayern Munich, mund të jetë në sezonin e tij të fundit me klubin bavarez. Drejtuesit e klubit kanë marrë vendimin ta largojnë, duke e konsideruar pagën e tij të lartë si një barrë financiare për Bayern-in.

Müller, i cili iu bashkua Bayernit që në moshën 11-vjeçare dhe nuk ka lënë kurrë klubin, duket se po i afrohet fundit të karrierës së tij te skuadra që i realizoi ëndrrat. Pasi nuk është më një titullar i padiskutueshëm, paraqitjet e tij këtë sezon kanë qenë sporadike. Për këtë arsye, largimi i tij nga Bayern në fund të këtij sezoni është bërë gjithnjë e më i mundshëm.

Trajneri Vincent Kompany dhe drejtuesit e klubit i kanë bërë të qartë Müllerit, i cili është 35 vjeç, se duhet të luftojë për një vend në formacionin titullar. Nëse kjo nuk ndodh, paga e tij prej 17 milionë euro në sezon është konsideruar tepër e lartë për një lojtar që është kryesisht në stol.

Nëse Müller dëshiron të vazhdojë me Bayern, një ulje drastike e pagës është e vetmja mundësi. Ai iu bashkua ekipit të parë të Bayernit në vitin 2008 dhe është një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e klubit, duke fituar 2 trofe të Champions League, 12 tituj të Bundesligës dhe 6 Kupa të Gjermanisë. Në fund të këtij sezoni, ai mund të shtojë një tjetër titull kampioni në koleksionin e tij, duke mbyllur një rrugëtim që ka zgjatur gati tre dekada.