Nga sot, Shqipëria dhe Izraeli janë të lidhura me fluturime të ndërsjella përmes linjës ajrore izraelite, Sundor. Fluturimi i parë ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku pasagjerët u pritën me entuziazëm për të zbuluar një vend të ri.
Vizitorët u mikpritën nga përfaqësues të lartë të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar. Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s, tha: “Kjo linjë është një urë që lidh jo vetëm dy shtete, por edhe dy popuj. Izraeli është një treg me shumë interes për turizmin dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm.”
Maksit Et’hemaj, Drejtor i Aviacionit Civil Shqiptar, theksoi se, “Jemi krenarë që sot mirëpresim një operator prestigjioz si Sandor El Al. Turistët izraelitë do të çojnë në vendin e tyre kujtime të bukura nga Shqipëria, dhe ky fluks pritet të vijë duke u rritur.”
Ambasadore e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, e përshëndeti këtë hap, duke thënë: “Fluturimi direkt do të forcojë më tej marrëdhëniet tona të ngushta dhe do të çojë shqiptarë në Izrael.”
Do të jenë tre fluturime në javë për dhe nga Tel Avivi, duke ofruar mundësi udhëtimi për turistët, udhëtarët e biznesit dhe komunitetet shqiptare dhe izraelite.