NASA ka njoftuar se asteroidi 2024 YR4, i cili fillimisht kishte një mundësi shumë të vogël për të goditur Tokën, tani ka një shans më të lartë për të prekur Hënën.
Kur u zbulua në dhjetor përmes një teleskopi në shkretëtirën e Kilit, ky asteroid kishte një shans minimal për të goditur Tokën në vitin 2032. Sipas rillogaritjeve më të fundit të agjencisë hapësinore amerikane, kjo mundësi është ulur në vetëm 0.004%.
Megjithatë, gjasat për një përplasje me Hënën janë dyfishuar, duke u rritur nga 1.7% në 3.8%. NASA e ka bazuar këtë përllogaritje në të dhënat e mbledhura nga teleskopët, përfshirë teleskopin hapësinor James Webb.
Pavarësisht kësaj, shkencëtarët theksojnë se edhe nëse YR4 do të përplasej me Hënën, kjo nuk do të ndikonte në orbitën e saj.