Nga muaji janar e deri në korrik të 2020-ës, në qytetin e Durrësit janë shënuar plot 60 aksidente rrugore ku fatkeqësisht kanë humbur jetën 15 persona.

Një pjesë e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit ndërsa pjesa më e madhe për shkak të sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Duke u ndalur te shkaku i fundit, rikujtojmë përplasjen e fëmijës së mitur në qytetin bregdetar mbrëmjen e të hënës, teksa i vogli ecte në bulevardin “Dyrrah” së bashku me gjyshen.

Lidhur me këtë rast, “DurrësLajm” raportoi me herët se ngjarja ka ndodhur fare pranë vijave të bardha, ndërsa dëshmitarët në vendngjarje thanë se drejtuesi i mjetit po lëvizte me shpejtësi.

Të ecësh me shpejtësi të lartë në bulevardin kryesor të Durrësit, mbase për drejtuesit e mjeteve është argëtuese, çka i bën ata të papërgjegjshëm dhe rrezikojnë jetën e tyre e të këmbësorëve.

Pavarësisht se është mjaft e frekuentuar, shoferët durrsakë zgjedhin këtë rrugë për të treguar aftësitë e tyre në timon, duke bërë parakalime të rrezikshme, apo duke qarkulluar tej normave të lejuara.

Veprime të kësaj natyre kanë bërë që dikush të përfundojë sipër barrierave metalike, dikush në spital e dikush tjetër në burg.

Vijat e bardha që u japin përparësi këmbësorëve, për shoferët janë të padukshme, ashtu siç janë të padukshëm edhe forcat blu për të ndëshkuar shkelje të tilla me pasoja të rënda.

Aksidentet rrugore në vendin tonë kanë patur bilance të frikshme ndër vite. Rrugët janë përgjakur jo pak herë, e jo pak qytetarë janë bërë kurban, janë plagosur apo janë gjymtuar për shkak të shoferëve aventurierë…